25 dhe 26 Maj 2022

 

Në bashkërendim me Asociacionin e Komunave të Kosovës, Kryeshefët ekzekutiv të Kompanive për Menaxhim të Mbeturinave po marrin pjesë në një vizitë studimore në Mal të Zi.
Gjatë ditës së parë të punëtorisë, u zhvilluan vizita në deponitë komunale të Podgoricës dhe qendrën e mbeturinave të riciklueshme në Podgoricë, me ç’rast u njoftuan mbi format e trajtimit të mbeturinave dhe funksionimin e kompanive publike të sektorit.
Në ditën e dytë të vizitës studimore u zhvillua vizitë në Komunën e Ulqinit ku gjatë takimit me personat përgjegjës për mirëmbajtjen dhe zhvillimin e infrastrukturës komunale të qytetit të Ulqinit, u shkëmbyen të dhëna të vlefshme për metodologjinë dhe mekanizmin ekzistues të menaxhimit të mbeturinave në vend.
Drejtori i ndërmarrjes komunale Doo “Komunalne Djelatnosti” Ulcinj z. Skënder Kaleziq, prezantoi sfidat kryesore për zhvillimin e qëndrueshëm të veprimtarive komunale, me standarde të larta për mbrojtjen e mjedisit jetësor, përmirësimin e pajisjeve teknike dhe të procesit teknologjik të punës në të gjithë segmentet e ndërmarrjes si dhe menaxhimin e infrastrukturës komunale në pajtim me planet e miratuara lokale të menaxhimit të mbeturinave.
Më tutje u zhvillua vizitë edhe në deponinë sanitare “Možura” –Tivar, ku nga drejtori ekzekutiv z. Senad Arabelović u paraqit aktiviteti kryesor i kësaj kompanie i cili është pastrimi i mjedisit dhe aktivitete të tjera që lidhen me menaxhimin e mbetjeve, duke përfshirë menaxhimin dhe funksionimin e landfilleve sanitare, riciklimin e mbetjeve dhe mbetjeve metalike dhe jometalike, testimin teknik dhe analizën e ndotjes së mundshme të mbetjeve, matjen e pastërtisë së ajrit. Interes të madh kishte për prokurimin e një grirëse moderne, e cila ka aftësinë të thërrmojë drurin, mbeturinat shtëpiake, gomën, përveç kësaj duke ndërruar boshtin me thika speciale mund të shtypen edhe beton, tulla, e qeramikë, duke qenë se problemi më i madh i komunave bregdetare është depozitimi i mbetjeve të mëdha. Lartë në listën e prioriteteve është projekti i shndërrimit të energjisë nga gazi në energji elektrike.
Kjo vizitë studimore e përbashkët mes dy Asociacioneve do të shërbejë në shkëmbimin e përvojave të mira në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, ndërmarrjen e iniciativave të reja në fushën e menaxhimit të mbeturinave, eliminimi i deponive ilegale, ofrimin e shërbimeve cilësore, shtrirjen e shërbimeve komunale dhe marrjen e praktikave të aplikuara për menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave komunale, me qëllim replikimin e mundshëm te tyre në Kosovë.