15 Tetor 2022

 

Në ditën e tretë të punëtorisë dhe me qëllim të njoftimit me përvoja të mira në menaxhim të mbeturinave, menaxhmenti i kompanive publike të mbeturinave të Kosovës zhvilloi vizita në Bashkinë e Tiranës me përfaqësues të Drejtoratit të Shërbimeve Publike dhe Kompaninë Publike Private për menaxhim të mbeturinave “EcoTirana”.
Gjatë takimit Drejtori i Përgjithshëm i Punëve Publike pranë Bashkisë së Tiranës z.Taulant Tusha na njoftoi me përvojat dhe zhvillimet në sektor të cilat si bashki janë duke i bashkëimplementuar përmes partneritetit publiko-privat mes Bashkisë Tiranë dhe Bashkisë së Veronës Itali në kuadër të ndërrmarrjes PPP “EcoTirana”.
Njëherësh z.Tusha informoi kryeshefët pjesëmarrës në takim, rreth sfidave kryesore në këtë sektor dhe masat e ndërrmarra për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarë dhe zgjidhjet e ofruara për eleminimin e lokacioneve të ndotura në zonat urbane me frekuentim të lartë.
Më tutje u zhvillua vizitë në deponinë e Sharrës në Tiranë, tashmë “Parku i Sharrës” ku nga menaxhmenti i landfillit dhe ekspertja znj. Shoshi u prezantuan të gjitha detajet e projektit në fazë të implementimit, zonat e selektimit dhe trajtimit të mbetjeve, modelin e aplikuar të kapsulimit (mbylljes) dhe rehabilitimin e deponisë së vjetër në këtë lokacion. Njëhërësh vizitë u zhvillua në hapësirën në ndërtim të Impiantit për trajtimit të ujërave të ndotura, landfillin për mbetje inerte, si dhe tre ekoliqenet e krijuara që shërbejnë për qëllime funksionale dhe rekreacionale dhe matës të ekosistemeve si dhe aktivitete të tjera që lidhen me menaxhimin e mbetjeve.

Kjo vizitë studimore do të shërbejë për shkëmbimin e përvojave të mira në sektorin e menaxhimit të mbeturinave, ofrimit të shërbimeve cilësore, shtrirjen e shërbimeve komunale dhe marrjen e praktikave të aplikuara për menaxhimin e qëndrueshëm të mbeturinave komunale dhe deponim të sigurtë, me qëllim replikimin e mundshëm të tyre në Kosovë.