4 Nëntor 2021
Drejtoresha ekzekutive e PAMKOS-it znj. Beu Muçaj u takua me anëtarët e Ekipit të Ekspertëve të Agjencionit Japonez për Bashkëpunim Ndërkombëtarë (JICA), z. Queiros Sousa Paulo dhe znj.Senada Bekteshi për të diskutuar rreth aktiviteteve të PAMKOS si përfaqësuese e ndërrmarrjeve publike të sektorit të mbeturinave, rolit dhe veprimtarisë së saj dhe koordinim të aktiviteteve për implementim të Projektit për Ngritje të Kapaciteteve për Menaxhim të Mbeturinave drejt një shoqërie të shëndoshë – Faza e dytë.
Qëllimi i këtij projekti është fuqizimi i kapacitetit të menaxhimit të mbeturinave në katër komuna të synuara të vogla dhe të mesme, si Malishevë, Suharekë, Dragash dhe Rahovec. Projekti do të shqyrtojë një metodë të përmirësimit të menaxhimit të mbeturinave, të cilat mund të jenë të zbatueshme për ndërrmarrjet tjera regjionale dhe lokale, dhe ku përvojat e fituara prej njësive të ndërrmarrjeve do të shpërndahen me kompanitë tjera anëtare të asociacionit.
Në kuadër të projektit, i cili është në fazë të studimit të gjendjes ekzistuese, sfidave të sektorit dhe mundësive drejt aplikimit të sistemeve për menaxhim të integruar të mbeturinave, planifikohet të zgjerohet zbatueshmëria e modelit të implementuar në Komunën e Prizrenit përmes adaptimit në qasje ndërkomunale edhe në katër komunat e synuara të rajonit.
Prej vitit 2011 deri në vitin 2015, JICA ka zbatuar projektin e bashkëpunimit teknik “Projekt për Ngritjen e Kapaciteteve për Menaxhimin e Mbeturinave drejt një Shoqërie të Shëndoshë”, përmes së cilës komuna e Prizrenit dhe Kompania regjionale e Mbeturinave “Ekoregjioni” janë përkrahur me reforma institucionale dhe kapacitete operative për grumbullim të mbeturinave. Ndërkohë, në dhjetor të vitit të kaluar përmes bashkëpunimit në projektin e JICA dhe komunave të rajonit të Prizrenit, u dhuruan edhe 10 kamionë për grumbullimin e mbeturinave të cilat i janë ofruar për shfrytëzim ndërrmarrjes publike regjionale “Ekoregjioni” për ofrim të shërbimeve më të mira për qytetare në komunat në fjalë.
Në emër të kompanive të sektorit të mbeturinave, PAMKOS falenderon dhe mirëpret implementimin projektit të ri nga JICA Japoneze duke ofruar gadishmëri të plotë në bashkërendimin e aktiviteteve që synojnë rritjen e kapaciteteve operative brenda kompanive të sektorit të mbeturinave drejt përmirësimit të metodës së operimit për ofrimin e shërbimeve më të mira për qytetarë.