21 Tetor 2022
Asociacioni i Kompanive për Menaxhim të Mbeturinave “PAMKOS” ka përfunduar sot trajnimin dy ditor të modulit të dytë, njëherësh si vijim i modulit të parë të mbajtur më 7 korrik, për Qeverisje Korporative, në të cilën kanë marrë pjesë anëtarë të Bordeve Drejtuese, sekretarët e kompanive dhe kryesues të komisionit të aksionerëve të ndërrmarrjeve publike rajonale dhe lokale.
Moduli i parë dhe i dytë i këtij trajnimi është bazuar në principet bazë për menaxhim korporativ dhe vlerësimin e riskut, duke u bazuar në obligimin ligjor Ligji Nr. 03/L-087 për Ndërmarrjet Publike, nenit 17 pika 17.6, me qëllim ndërtimin e mëtutjeshëm të njohurive në çështjet korporative në ndërrmarrjet publike të nivelit lokal dhe detyrave dhe përgjegjësive të bordevedhe pozitave udhëheqëse në implementimin e politikave zhvillimore për ndërrmarrjet e nivelit lokal të sektorit të mbeturinave si dhe ndërrmarrjet që ofrojnë aktivitete të shërbimeve publike sekondare.
Në kuadër të modulit të dytë të trajnimit janë përfshirë tema të ndryshme si: Roli dhe Funksionet kryesore të aksionarit, Raportimi dhe Komunikimi me aksionarët, Angazhimi i palëve të interesit, Roli i Bordit Drejtues në planifikimim strategjik, Komitetet e Bordit Drejtues, Roli i Sekretarit të Korporatës, koncepte të cilat synojnë implementimin e politikave të mira që avancojnë performancën e ndërrmarrjeve dhe shërbime më të mira për qytetarë.
PAM.KOS në bashkëpunim me GIZ projekti “Shërbime të qëndrueshme komunale (SMS)” dhe EU, në vazhdimësi do të ofrojë module të trajnimeve për bordet e ndërrmarjeve publike të niveleve komunale dhe pozitave udhëheqëse e menaxheriale, me qëllim forcimin e kapaciteteve në menaxhimin korporativ.