15 Shkurt 2022

 

Nis implementimi i projektit “Enhancement of Biodiversity in Drini River Basin through Integrated Watershed Management- BIODRINI, mbështetur nga EU programi ndërkufitar Kosovë-Shqipëri, ku PAMKOS do të jetë partner mes dy komunave, komunës së Rahovecit dhe Qarkut Kukës.
Dje, lideri i projektit respektivisht Komuna e Rahovecit, në krye me kryetarin z. Smajl Latifi dhe partnerët respektivisht, kryetarin e Këshillit të Qarkut të Kukësit, z.Abdulla Domi, Shoqatën për Pastërti dhe Ambient të Kosovës PAMKOS dhe Urban Research Institute (URI), kanë nënshkruar marrëveshjen “Rritja e biodiversitetit në pellgun e lumit Drin nëpërmjet menaxhimit të Integruar të Pellgut Ujëmbledhës – BIODRINI”.
Gjatë komunikatës për media, kryetari i komunës së Rahovecit z.Latifi shtoi se përmes këtij projekti synohet mbrojtja e mjedisit dhe rritja e biodiversitetit përmes zbatimit të praktikave më të mira përgjatë bazenit të lumit Drin, njëherësh ka për qëllim rritjen e bashkëpunimit mes një kombi të organizuar në këtë rast midis dy shteteve Kosovë-Shqipëri, shtete të cilat po synojnë anëtarësimin në Bashkimin Evropian, duke theksuar se komuna me të cilën ai udhëheq janë të angazhuar që të përmirësojnë jetën e qytetareve të saj.
Kryetari i Këshillit të Qarkut Kukës, z. Abdulla Domi u shpreh se ky projekt është në kohën e duhur e për të bërë gjërat e duhura, në kuadër të strategjisë edhe të qeverisë shqiptare për një mjedis të pastër, duke shpresuar që ky bashkëpunim do të jetë i frytshëm për të dy shtetet.
Ky projekt do t’i kushtojë vëmendje të veçantë mbrojtjes së mjedisit, ruajtjes së biodiversitetit unik të zonës, përmes zbatimit të praktikave më të mira, në pellgun e lumit Drin. Gjithashtu do të promovojë përfitimet mjedisore të pellgut dhe do të përmirësojë cilësinë e ujrave të tij, përmes instalimit të 4 kurthave të mbeturinave (litter traps).
Do të sjellë përfitime për shumë aktorë dhe faktorë, që kanë lidhje me manaxhimin e burimeve ujore, nga agjencitë qeveritare, autoritetet që manaxhojnë basenin e lumit, e deri te banorët e fermerët, të cilët do të përfitojnë nga rritja e biodiversitetit të lumit.
Përmes bashkëpunimit dhe krijimit të parakushteve për një mjedis më të pastër dhe mirëmenaxhuar, në secilin prej vendeve do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë në ekonominë lokale.