22 Janar 2022
Kompanitë e Menaxhimit të Mbeturinave në nivel vendi në bashkëpunim me Asociacionin PAMKOS, ju dalin në ndihmë komunës së Skenderaj, referuar situatës emergjente të krijuar dhe nevojave të shumta për sanimin dhe intervenim në hapësirat e dëmtuara në qytet.
Për shkak të gjendjes së jashtëzakonshme pas reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimeve në komunën e Skenderaj, kompanitë publike regjionale dhe lokale të menaxhimit të mbeturinave anëtare në PAMKOS, duke u bashkërenduar me shtabin emergjent të Komunës së Skenderaj kanë vijuar aktivitetet për pastrim të rrugëve dhe hapësirave, debllokim të kanalizimeve të ujrave të zeza, hapjen e pusetave, largim të mbeturinave prej prurjeve nga vërshimet dhe hapjen e rrugëve të bllokuara në nevojë.
Mbështetjes për Skenderaj ju bashkangjitën me asete operative përfshirë kamionë, çisterna uji, kamioneta, debllokues të kanalizimeve, mjete pune dhe me mbi 100 punëtorë nga kompanitë publike të nivelit regjional dhe lokal përfshirë KRM “EkoRegjioni” Prizren, KRM “Pastërtia” Ferizaj, NPL “Higjiena” Deçan, NPL “Perparimi” Vushtrri, NPL “Kastrioti” Obiliq dhe KRM “Ambienti” Pejë me njësitë e saj Istog dhe Klinë.
Asociacioni PAMKOS falenderon punëtorët operativë për ndihmën e dhënë sot dhe në vijim në tejkalim të situatës emergjente në komunat e prekura prej vërshimeve, si dhe të gjithë kryeshefët e kompanive publike për gadishmërinë dhe përkrahjen e ofruar duke ju përgjigjur pa hezitim kërkesës për ndihmë dhe duke qëndruar pranë qytetarëve të komunës së Skenderaj dhe në komunat tjera të prekura prej vërshimeve me të gjitha kapacitetet e tyre operative.